Një automjet tip SUV u përplas me një grup këmbësorësh pranë një stacioni metroje në North Hollywood. Mes të plagosurve është edhe drejtuesi i automjetit, i cili ndodhet në gjendje kritike.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Angeles (LAPD), një SUV i bardhë u përplas me të paktën pesë këmbësorë, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles bëri të ditur se tre persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë u transportuan me urgjencë në spitalet lokale në gjendje kritike. Edhe drejtuesi i automjetit, një burrë rreth të 60-ave, mbeti i plagosur rëndë dhe u shtrua në spital në gjendje kritike.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e përplasjes. Sipas kapitenit të policisë, Warner Castillo, po kryhen teste për të përcaktuar nëse shoferi ishte nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera në momentin e aksidentit. Policia po kërkon gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë nga zona dhe stacioni i autobusëve, me qëllim rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Shefi i Policisë së Los Angeles, Jim McDonnell, deklaroi se hetimi do të jetë i detajuar për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi. Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të gjithë personat e prekur nga tragjedia.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë, ndërsa priten informacione të tjera për identitetin e viktimave dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

