Mër. Nën 11th, 2026

Hoti: Faturat e larta të energjisë janë pasojë e anulimit të projektit amerikan të gazit, përgjegjëse është qeveria

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka rikujtuar shkaqet përse insistonte që Kosova të pranonte projektin e centralit me gaz amerikan, dhe atë të Kosovës së Re.

Duke shpërndarë postimin e një prodhuesi në Kosovë, që ishte ankuar për faturën e lartë të energjisë, Hoti tha se kjo është pasojë e anulimit të projektit.

“Ja në çfarë situate janë prodhuesit në Kosovë. Këto janë pasojat e anulimit të projektit të centralit me gaz amerikan dhe të projektit Kosova e Re me 80 euro/MWh.

Kjo ka qenë arsyeja që kam bërë thirrje të vazhdueshme të implementohet Marrëveshja e Uashingtonit” shkroi Hoti.

Kujtojmë se Hoti ishte kritik i fortë i qëndrimeve të qeverisë – lidhur me gazin.

Ai madje kishte ftuar edhe protesta për këtë çështje.

“Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit.

Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” kishte deklaruar Hoti, disa muaj më parë.

Postime të Ngjashme