Mar. Nën 10th, 2026

Drejtori i Diasporës në Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në tribunën islame të organizuar nga Qendra Islame Shqiptare “Lëvizja” në bashkëpunim me UIAZD-BW,

Drejtori i Diasporës në Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në tribunën islame të organizuar nga Qendra Islame Shqiptare “Lëvizja” në bashkëpunim me UIAZD-BW, e cila u mbajt në Schwäbisch Gmünd të Gjermanisë, me moton: “Ndërto një xhami, shpëto një shoqëri”.
Me këtë rast, drejtori Simnica përcolli selamet dhe përshëndetjet e Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, si dhe të institucioneve udhëheqëse të BIK-ut, për imamin dr. Enal Jakupi, kryetarin Xhemail Mehmetaj, Kryesinë e Qendrës dhe të gjithë xhematin e pranishëm.
Në fjalën e tij, drejtori Simnica foli për rëndësinë dhe rolin e xhamisë në jetën e besimtarit dhe të shoqërisë, duke theksuar se ajo nuk është vetëm vend adhurimi, por edhe vatër e edukimit, solidaritetit, bashkimit dhe formimit të brezave. Ai nënvizoi se ndërtimi dhe mbështetja e xhamive përbëjnë një përgjegjësi dhe amanet ndaj fëmijëve dhe pasardhësve tanë, në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të kenë mundësi të rriten dhe të edukohen në frymën e vlerave islame.
Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë dhe vlerën e dhurimit të pasurisë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shtëpive të Allahut, duke e cilësuar këtë si një ndër veprat më të çmuara të bamirësisë, shpërblimi dhe gjurmët e së cilës mbeten edhe për brezat që vijnë.
Tribuna u organizua me qëllim të mbështetjes së projektit për blerjen e një parcele prej 2.042 m², e cila do të shërbejë për ndërtimin e xhamisë së re. Falë bujarisë, përkushtimit dhe solidaritetit të besimtarëve të pranishëm, gjatë këtij manifestimi u grumbulluan mbi një milion euro, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e lartë të mërgatës shqiptare ndaj fesë, institucioneve fetare dhe ruajtjes së identitetit fetar e kombëtar.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve islame nga Gjermania, Kosova, Zvicra dhe Maqedonia e Veriut, si dhe lexues të Kuranit, interpretues të ilahive dhe shumë bashkatdhetarë. Pjesëmarrja dhe kontributi i tyre i dhanë manifestimit një karakter të veçantë, duke e shndërruar atë në një tubim të madh vëllazërie, solidariteti dhe përkushtimi fetar

Postime të Ngjashme