Juventusi mund të ndahet me Edon Zhegrovën gjatë afatit kalimtar të janarit. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës nuk është i kënaqur me minutazhin në Torino dhe është i gatshëm të shqyrtojë ofertat bindëse për largim.
Sipas mediumit italian “Calciomercato”, duke iu referuar edhe raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, e ardhmja e Zhegrovës te Juventusi është vënë në pikëpyetje, pasi futbollisti kosovar nuk ka arritur të sigurojë hapësirën e pritur në formacion.
Zhegrova, i cili iu bashkua skuadrës torineze pas aventurës te Lille, këtë sezon ka regjistruar nëntë paraqitje, por të gjitha duke u inkuadruar nga banka rezervë. Megjithatë, pavarësisht minutave të kufizuara, ai ka arritur të realizojë dy gola dhe dy asistime.
Sipas statistikave të publikuara, kosovari kontribuon me një gol ose asistim mesatarisht çdo 62 minuta, shifra që dëshmojnë efikasitetin e tij sa herë që i jepet mundësia për të luajtur.
Juventusi kishte investuar 20 milionë euro, plus pesë milionë të tjera në formë bonusesh, për transferimin e tij. Megjithatë, vlera aktuale e kartonit të Zhegrovës vlerësohet të jetë rreth 15 milionë euro.
Interesimi për shërbimet e tij nuk mungon. Në Itali, Atalanta dhe Fiorentina e kishin shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij edhe gjatë verës, ndërsa Lazio vazhdon ta ketë në listën e objektivave të mundshëm.
Ndërkohë, edhe jashtë Italisë ka alternativa për reprezentuesin e Kosovës. Futbolli arab mbetet një mundësi, ndërsa nga Turqia interesim kanë shfaqur Fenerbahçe dhe Trabzonspor, të cilat tashmë kanë bërë kërkime për situatën e tij.
Një transferim i mundshëm në janar do të ishte një zhvillim i rëndësishëm për Zhegrovën, i cili kërkon më shumë minuta dhe një rol më të madh në skuadrën ku aktivizohet.
KosovaPress

