Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi, ku dyshohet se një person ka shtënë me armë zjarri, me ç’rast 8 persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Sipas raportimeve, mes viktimave janë edhe dy mësuese, ndërsa informacionet paraprake kanë bërë të ditur se autori i dyshuar ndalonte rastësisht automjete në rrugë dhe hapte zjarr ndaj pasagjerëve të tyre.
Ngjarja u zbulua pasi forcat e sigurisë gjetën trupat e pesë personave brenda dy automjeteve të ndryshme, raporton CNN Turk:
Hetimet e mëtejshme zbuluan se i dyshuari, pasi ishte larguar nga vendet e para të sulmeve, ishte drejtuar në një tjetër zonë, ku qëlloi dhe vrau dy persona të tjerë me një pushkë gjahu.
Prefektura e Afyonkarahisarit konfirmoi zyrtarisht se bilanci i sulmeve të armatosura është tetë persona të vrarë dhe një i plagosur rëndë.
Autoritetet turke po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmeve dhe lëvizjet e të dyshuarit, ndërsa po vazhdojnë edhe procedurat për identifikimin e të gjitha viktimave.
Autori i dyshuar, pas shumë përpjekjeve, është arrestuar nga autoritetet turke.

