Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ky vendim vjen pasi kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar suspendimin e tyre dhe kishte iniciuar procedurë disiplinore.
Lajmin për suspendimin e tyre e konfirmoi për Telegrafin vetë Kryeprokurori Gashi.
Suspendimi i Vuçetajt dhe Nallbani-Gacaferrit u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së me shtatë vota për. Këshilli gjithashtu themeloi një panel hetimor për shqyrtimin e çështjes.
Masat ndaj dy prokuroreve lidhen me gjetjet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet dhe mosveprimet e dyshuara gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.
E ëshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka themeluar panel hetimor dhe ka miratuar propozimin për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores së rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e procedurës disiplinore.
Sipas njoftimit të KPK-së, pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli ka vendosur të themelojë një panel hetimor për trajtimin e rastit, si dhe ka miratuar propozimin për suspendimin e të dy prokuroreve ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.
Vendimet janë marrë në bazë të të gjeturave të paraqitura në raportin me numër reference A.Nr. 379/2026, të përfshirë në kërkesën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për fillimin e hetimit disiplinor, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ndërkaq, KPK-ja ka vendosur që Valbona Disha-Haxhosaj të caktohet ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje lidhur me trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë e mekanizmave përgjegjës për mbrojtjen e viktimave.
Megjithatë, fillimi i procedurës disiplinore dhe suspendimi i prokuroreve nuk nënkuptojnë se përgjegjësia e tyre është vërtetuar. Kjo pritet të shqyrtohet përmes procedurës përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KPK-ja ka ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke theksuar se procedurat do të zhvillohen në përputhje me ligjin.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale, pasi viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet shtetërore.
Tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar nga institucionet ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e saj.



