Hën. Tet 26th, 2026

Çitaku pas rastit në Pejë kërkon llogaridhënie dhe dorëheqje për dështimin e institucioneve

Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj. Ajo ka kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje nga personat përgjegjës për mbrojtjen e viktimës.

Sipas Çitakut, konferencat, seminaret, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm një copë letër, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete.

Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional, ka thënë ajo.

Postimi i plotë:

Mbrëmë, Arlinda u vra. U vra nga kunati i saj.

Ajo la pas një dëshmi tronditëse për mënyrën se si dështimi i institucioneve mund të marrë jetë njerëzish.

Arlinda është gruaja e tetë e vrarë këtë vit.

Tetë gra. Tetë jetë të humbura. Familje të shkatërruara. Dhe pyetja që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi?

Konferencat, seminaret, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm një copë letër, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete, me mbrojtje reale për gratë në rrezik dhe me përgjegjësi për ata që dështojnë t’i mbrojnë.

Kërkohen llogaridhënie dhe dorëheqje. Nga ata që kishin detyrë ta mbronin Arlindën. Nga secili në zinxhirin e përgjegjësive, roli dhe veprimet e të cilit duhet të shqyrtohen.

Nuk mjaftojnë më deklaratat e ngushëllimit. Nuk mjaftojnë zotimet se do të bëhet më shumë. Duhet të dimë çfarë ndodhi, kush nuk e kreu detyrën dhe çfarë pasojash do të ketë.

Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional.

Dhimbje pa fund për Arlindën dhe familjen e saj. Zemërim dhe kërkesë për drejtësi. Përgjegjësi, jo vetëm fjalë.

Postime të Ngjashme