Pre. Tet 23rd, 2026

BE-ja përshëndet kthimin në rishqyrtim të ligjit për Dhomat e Specializuara

Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, për ta kthyer në rishqyrtim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

BE-ja ka bërë të ditur se ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj për nismën për ndryshimin e këtij ligji, si para ashtu edhe pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor 2026.

Në deklaratën e saj, BE-ja ka rikujtuar rëndësinë e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian dhe presidentit të Kosovës, përmes të cilit përcaktohen modalitetet e konsultimit me BE-në para ndryshimit të legjislacionit.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të konsultohet nëse diskutimet rifillojnë në Kuvend. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, duke përfshirë ato të viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi të madhe”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian ka theksuar gjithashtu se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014-2015, në bazë të një marrëveshjeje të posaçme me BE-në.

Sipas BE-së, ky institucion funksionon brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe është i sanksionuar në Kushtetutën e vendit.

“Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa rezerva”, theksohet në deklaratë.

Në fund, Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritetin me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e prekura nga mizoritë e kohës së luftës.

 

 

 

Postime të Ngjashme