Pre. Tet 23rd, 2026

Kurti: Mbi një miliard euro do të investohen në ushtri gjatë mandatit të ri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria synon të investojë mbi një miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati, duke theksuar se forcimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mbetet një nga prioritetet kryesore.

Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë e betimit të rekrutëve të FSK-së, gjenerata 02/2026, ku betimin e dhanë 515 ushtarë të rinj. Ai e cilësoi këtë si gjeneratën më të madhe të ushtarëve që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se forcimi i ushtrisë është i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Duke folur për zhvillimin e FSK-së, Kurti bëri të ditur se gjatë periudhës së kaluar janë rekrutuar 3 mijë e 220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e ushtrisë. Sipas tij, me përfshirjen e gjeneratave të reja të rekrutëve, synohet që kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028 të arrihen dy vjet më herët.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se Kosova ka realizuar blerje të armatimit në vlerë prej mbi 430 milionë eurosh. Ai përmendi dronët Bayraktar dhe Skyguard, si dhe më shumë se 40 lloje të armatimit të rëndë dhe të lehtë, me të cilat po pajiset FSK-ja.

Kurti ritheksoi synimin që ushtria e Kosovës të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e saj dhe të bëhet pjesë e NATO-s.

Një tjetër çështje që ai e përmendi ishte zhvillimi i industrisë vendore të mbrojtjes. Sipas Kurtit, deri në fund të këtij viti pritet të nisë prodhimi i municionit në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë.

“Deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100 për qind vendore, dhe po e përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Kurti foli edhe për pjesëmarrjen e FSK-së në misione dhe ushtrime ndërkombëtare, duke përmendur “Defender 21”, “Defender 23” dhe “Defender 25”. Ai e cilësoi ushtrinë e Kosovës si kontribuuese në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Postime të Ngjashme