Mër. Tet 21st, 2026

147 vjet nga eksperimenti që ndryshoi historinë e ndriçimit elektrik

Në vitin 1879, shpikësi amerikan Thomas Edison dhe ekipi i tij zhvilluan një nga eksperimentet më të rëndësishme në historinë e ndriçimit elektrik, duke krijuar një llambë inkandeshente që mund të qëndronte e ndezur për orë të tëra, transmeton KosovaPress.

Eksperimenti u realizua në laboratorin e Edisonit në Menlo Park të New Jersey-it, pas një sërë provash me materiale të ndryshme për filamentin e llambës.

Çelësi i suksesit ishte përdorimi i një filamenti prej fijeje të karbonizuar, i cili mundësonte prodhimin e dritës për një periudhë më të gjatë.

Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, llamba eksperimentale qëndroi e ndezur për të paktën 13 orë, duke shënuar një përparim të rëndësishëm drejt zhvillimit të ndriçimit elektrik praktik.

Megjithëse Edisoni nuk ishte i pari që eksperimentoi me llambën elektrike, ai arriti ta përmirësonte teknologjinë dhe të zhvillonte një sistem të plotë për furnizimin me energji elektrike.

Në vitin 1882, në rrugën Pearl Street të New Yorkut, nisi funksionimin një nga centralet e para komerciale të energjisë elektrike, duke shënuar një hap vendimtar drejt përdorimit të gjerë të ndriçimit elektrik.

Kjo arritje hapi rrugën për transformimin e jetës së përditshme dhe zhvillimin e sistemeve moderne të energjisë elektrike.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.