Një gjykatë në Kolumbi ka urdhëruar mbrojtjen e mbi 30 objekteve historike, të cilat u larguan nga Muzeu Kombëtar në Bogota me vendim të autoriteteve qeveritare.
Vendimi u mor të hënën, më 19 tetor, pas protestave kundër largimit të eksponateve që lidhen me lëvizjet shoqërore, konfliktet politike dhe historinë e komuniteteve të ndryshme në vend.
Sipas Associated Press, gjykatësi Cesar Enrique Osorio urdhëroi që objektet të ruhen në kushte të sigurta, derisa të vendoset nëse ato duhet të rikthehen në ekspozitë.
Gjykata gjithashtu ndaloi largimin e objekteve të tjera nga muzeu, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të cenojnë të drejtën e qytetarëve për lirinë e shprehjes dhe kujtesën historike.
Në mesin e eksponateve të larguara është edhe stilolapsi i përdorur gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së paqes të vitit 2016 ndërmjet qeverisë kolumbiane dhe rebelëve të FARC-ut.
Po ashtu, është larguar një poster elektoral i Carlos Pizarros, ish-udhëheqës i lëvizjes guerile M-19, i cili u vra në vitin 1990 gjatë kandidimit për president.
Vendimi për largimin e objekteve nxiti reagime të organizatave feministe, aktivistëve të majtë dhe përfaqësuesve të komunitetit LGBTQ+, të cilët akuzuan qeverinë për përpjekje për të ndryshuar mënyrën e paraqitjes së historisë së vendit.
Protestat u zhvilluan gjatë fundjavës para ndërtesës së Muzeut Kombëtar në Bogota, ndërsa policia ndërhyri për shpërndarjen e demonstruesve.
Presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, ka mbrojtur ndryshimet, duke deklaruar se institucionet kulturore nuk duhet të promovojnë ideologji politike apo t’i paraqesin ish-pjesëtarët e grupeve guerile si heronj kombëtarë.
Ai ka kërkuar ndryshime në mënyrën se si historia e Kolumbisë paraqitet në institucionet kulturore dhe arsimore.
Ndërkohë, María José Pizarro, vajza e ish-udhëheqësit gueril Carlos Pizarro, ka kundërshtuar largimin e eksponateve, duke vlerësuar se ndryshimet janë bërë pa kritere profesionale.
Vendimi i gjykatës është i përkohshëm dhe synon ruajtjen e objekteve historike deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
/KosovaPress/

