Me rastin e fillimit të sezonit ngrohës 2026/2027, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se furnizimi me ngrohje përmes “Termokosit” po zhvillohet pa probleme, ndërsa ka theksuar nevojën për zgjerimin e rrjetit dhe avancimin e kapaciteteve në të ardhmen.
“Tash ishim edhe me stafin tjetër teknik dhe na informuan që procesi tash i ngrohjes të kryeqytetit është duke shkuar në mënyrën më të mirë të duhur, pra nuk ka asnjë problem. Deri më tani, shpresoj që mos të ketë asnjë problem edhe në të ardhmen, me siguri që nuk do të ketë. Diskutuam po ashtu edhe për nevojën e zgjerimit të ngrohjes në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, për kapacitetin ekzistues dhe si mundemi me e ngritë kapacitet në të ardhmen e afërt”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se nga 25 mijë pika që aktualisht paguajnë për shërbimet e “Termokosit”, 17 mijë kanë të instaluar matësit, ndërsa synohet që ky proces të vazhdojë edhe për 8 mijë pikat e tjera.
“Biseduam po ashtu edhe për projektin madhor ‘Solar for Kosovo’ që është duke na pritur tash, që procesi duhet me ecë përpara sa më shpejt që është e mundur, që me fillu punët e mëdha atje, të cilat do t’i ndihmojnë kryeqytetit me u transformu ashtu sipas vizionit tonë në një qytet ambiental, një ngrohje e cila është më e mirë, më ambientale, më e lirë për qytetarët tanë. Dhe për gjëra tjera të ndryshme, mundësi tjera të ndryshme, se si mundemi me i ndihmu qytetarëve të kryeqytetit nëpërmjet kompanisë Termokosit, pra deri më tani shpresoj që të gjithë qytetarët që janë të kyçur në Termokos, edhe e ndjejnë ngrohjen, e cila në mënyrë linjare tash do të ketë ngritje në ditët me radhë, deri në pikën ku edhe monitorohet edhe me matësit, pra e dimë që tash prej 25 mijë pikave të cilat ekzistojnë sot dhe paguajnë për Termokos, 17 mijë prej tyre vetëm se i kanë matësit, kemi edhe një vazhdimësi të zgjerimit tash edhe për 8 mijë të tjera, që ta përmbushim këtë projekt”, tha ai.
Ndërkaq, kryeshefi i ri i “Termokosit”, Bersant Bekaj, tha se janë duke shqyrtuar gjendjen nëpër lagje dhe raportet për problemet e mundshme me furnizimin me ngrohje.
“Tash jemi në procedurë të shikimit të problemit se çfarë ka secila lagje, i marrim raportet dhe i sqarojmë”, tha Bekaj.

