Sot mbahet seanca fillestare gjyqësore ndaj dy kirurgëve, Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, të cilët kanë punuar në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri dhe dyshohen për marrje ryshfeti.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë edhe ndaj nëntë personave të tjerë, të cilët dyshohen se u kanë dhënë para mjekëve në këmbim të operimit të familjarëve të tyre.
Sipas aktakuzës, Valdet Rexhepi dyshohet se në gjashtë raste ka kërkuar dhe pranuar para për ofrimin e shërbimeve mjekësore, ndërsa Ekrem Sefiu dyshohet për tri raste të tilla.
Ndërkaq, nëntë personat e tjerë të përfshirë në këtë rast akuzohen se u kanë ofruar mjekëve, drejtpërdrejt ose përmes personave të tjerë, shuma parash nga 50 deri në 300 euro, me qëllim që familjarët e tyre të operoheshin.
Lidhur me këtë rast, Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri ka marrë vendim për pezullimin e të dy mjekëve nga detyra deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Seanca fillestare shënon vazhdimin e procedurave gjyqësore ndaj dy mjekëve dhe nëntë personave të tjerë, të cilët përballen me akuzat që lidhen me dyshimet për ryshfet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

