Shqipëria pritet të mbyllë sot përkohësisht Kapitullin 20 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale.
Në Luksemburg do të mbahet Konferenca e dhjetë Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja e këtij kapitulli. Me këtë hap, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria do të arrijë në katër.
Sipas agjendës së publikuar, aktivitetet do të nisin në orën 16:40, ndërsa në orën 16:50 është paraparë fotografia e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministrit irlandez, Thomas Byrne.
Konferenca Ndërqeveritare do të fillojë në orën 17:00, me miratimin e agjendës, ndërsa përfundimi i saj është paraparë në orën 17:45.
Pas përfundimit të takimit, Rama, Kos dhe Byrne pritet të mbajnë një konferencë për media, ku do të flasin për ecurinë e negociatave dhe hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

