Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar për kontroll një autobus që po udhëtonte nga Turqia drejt Kosovës, në pikën kufitare në Han të Elezit, ku kanë zbuluar mallra të padeklaruara.
Gjatë kontrollit të bagazhit dhe hapësirave të brendshme të autobusit, doganierët kanë gjetur mallra të fshehura në pjesën e korridorit. Gjatë verifikimeve janë evidentuar edhe shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Sipas njoftimit të Doganës, para kontrollit, udhëtarët dhe shoferi janë pyetur nëse kishin mallra apo mjete monetare për t’i deklaruar, por ata nuk kanë deklaruar asnjë mall apo shumë parash.
Mallrat e zbuluara janë ndaluar nga autoritetet doganore, ndërsa rasti do të trajtohet përmes procedurave administrative dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Sipas institucionit, këto masa synojnë të garantojnë një treg të rregullt, konkurrencë të drejtë dhe mbrojtjen e interesit publik.

