Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka kritikuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke e akuzuar se nuk po i trajton siç duhet rastet që lidhen me krimet zgjedhore.
Reagimi i tij erdhi pas vizitës së ambasadorit amerikan në Shqipëri dhe dy senatorëve amerikanë në ambientet e SPAK-ut, ku ata u takuan me drejtuesin e institucionit, Klodian Braho, si dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta.
Berisha deklaroi se vizitat e zyrtarëve ndërkombëtarë në këtë institucion kanë për qëllim, sipas tij, mbështetjen e punës së SPAK-ut, por shprehu qëndrime të ashpra ndaj mënyrës se si po trajtohen denoncimet për parregullsi zgjedhore.
“SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se institucioni ka amnistuar krimin elektoral në interes të mazhorancës.
Ai tha se në SPAK janë dorëzuar më shumë se 51 dosje që lidhen me krimet zgjedhore, të cilat, sipas tij, përmbajnë rreth 1 mijë e 500 faqe dokumente. Berisha pretendoi se këto raste përfshijnë kryeministrin Edi Rama dhe ministra, si dhe se janë përmendur në raportet e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it.
Sipas kreut të PD-së, këto dosje nuk janë shqyrtuar siç duhet nga Prokuroria e Posaçme. Ai e cilësoi këtë çështje si një nga problemet më të mëdha për shtetin ligjor dhe funksionimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Berisha theksoi se trajtimi i rasteve të dyshuara të krimit elektoral lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e votës së lirë dhe funksionimin demokratik të partive politike.

