Sht. Tet 10th, 2026

Kurti takon Myftiun Tërnava, në fokus urimi për presidenten dhe aktgjykimi i Hagës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, ku temë e diskutimit ishin zhvillimet politike në vend, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe çështja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Tërnava e ka uruar Kurtin për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës. Zgjedhja e saj, sipas njoftimit, shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të katërta parlamentare brenda më pak se dy vjetësh dhe kontribuoi në rikthimin e stabilitetit institucional.

Gjatë takimit, Kurti dhe Tërnava kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e deritanishëm, realizimin e projekteve të përbashkëta, solidaritetin, humanizmin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë, si dhe aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit, palët e cilësuan aktgjykimin si të padrejtë dhe të pasaktë, ndërsa diskutuan edhe për hapat e mëtejshëm dhe pritjet lidhur me procesin e apelit.

Në përfundim të takimit, Kurti shprehu mirënjohje për Bashkësinë Islame të Kosovës, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e saj në shërbim të qytetarëve të vendit.

Postime të Ngjashme