Sht. Tet 10th, 2026

Dritëro Arifi kërkon koordinim shtetëror për çështjen e Speciales: Duhet strategji e përbashkët

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe partitë politike për mungesë të veprimeve konkrete lidhur me çështjen e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai ka kërkuar krijimin urgjent të një task-force shtetërore, e cila do të përbëhej nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Sipas Arifit, pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula, institucionet është dashur të ndërmarrin hapa më të shpejtë për koordinimin e veprimeve dhe caktimin e një personi jopartiak që do ta udhëhiqte këtë mekanizëm.

Ai ka theksuar se task-forca duhet të hartojë një strategji të qartë juridike dhe politike, duke bashkuar përpjekjet e Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës.

Arifi ka vlerësuar se përgjegjësi për mungesën e veprimeve ka edhe Partia Demokratike e Kosovës, duke nënvizuar se kjo çështje kërkon angazhim të përbashkët dhe jo vetëm deklarata politike.

Profesori ka kërkuar gjithashtu që diplomacia kosovare të angazhohet më fuqishëm në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, Kosovës i duhet një qasje më profesionale për t’ua shpjeguar partnerëve ndërkombëtarë qëllimet dhe përmbajtjen e ndryshimeve të propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara.

Arifi ka theksuar se Presidenca mund të luajë rol të rëndësishëm në këtë proces, por ka shtuar se nevojitet koordinim i mirëfilltë ndërmjet institucioneve dhe ekspertizë profesionale për të ndërtuar një strategji shtetërore.

Postime të Ngjashme