Sht. Tet 10th, 2026

Vrasja e dyfishtë në Gjilan: Policia gjen 21 gëzhoja, bastisen shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit

Hetimet për vrasjen e dyfishtë në Livoç të Ulët të Gjilanit po vazhdojnë, ndërsa Policia e Kosovës dhe Prokuroria po ndërmarrin veprime për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Në vendin ku ndodhi tragjedia janë gjetur 21 gëzhoja, të cilat janë pjesë e provave që po shqyrtohen nga hetuesit.

Gjatë veprimeve hetimore, policia ka bastisur edhe shtëpitë dhe pronat që lidhen me të dyshuarin, ku janë mbledhur prova të tjera materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Nga kjo ngjarje mbetën të vrarë një grua dhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër u plagos dhe u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

I dyshuari është dorëzuar në polici, ndërsa në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një armë zjarri e markës “Beretta”, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës. Sipas Prokurorisë, arma kishte leje të skaduar.

Deri më tani, motivi i vrasjes nuk është bërë i ditur zyrtarisht. Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari nuk ka pasur të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ishin raportuar më herët raste të dhunës në familje.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të dokumentuar rastin dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan deri te vrasja e dyfishtë.

Postime të Ngjashme