Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të premten, rreth orës 14:25, në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.
Viktimat janë identifikuar si Nafije dhe Egzon Bogujevci, vëlla e motër nga kjo zonë. Ndërkaq, i dyshuari për kryerjen e vrasjes është Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafijes.
Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se ngjarja e rëndë mund të ketë ndodhur pas problemeve familjare dhe kërkesës për divorc. Megjithatë, këto rrethana nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe mbeten pjesë e hetimeve.
Nga të shtënat me armë zjarri është plagosur edhe një person tjetër, i cili fillimisht është trajtuar në emergjencën e Spitalit të Gjilanit dhe më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
I dyshuari është vetëdorëzuar në polici. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje, për të përcaktuar motivin dhe për të dokumentuar rastin.

