Administrata Tatimore e Kosovës ka decentralizuar përgjegjësinë për mbledhjen e borxheve, duke e kaluar atë nga 1 drejtor në 12 përgjegjës nëpër regjione.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, në podcastin “Ekonomia pa filtra”, që transmetohet në rrjetet sociale të KosovaPress çdo të mërkure në ora 19:00, ka thënë se digjitalizimi dhe mbledhja e borxheve mbeten 2 nga sfidat kryesore të institucionit, por sipas tij janë të kalueshme.
Sa i përket borxheve, Hyseni tha se tatimpaguesit i kanë ATK-së rreth 800 milionë euro borxhe, prej të cilave rreth 650 milionë euro konsiderohen të mbledhshme.
Intervistën e plotë me Mentor Hysenin mund ta ndiqni këtu.
Hyseni: Deri më tash ne i kemi diku rreth 800 milionëve borxhe që ATK-së ia kanë tatimpaguesit
“Po borxhet tatimore, e kam thënë edhe nëpër shumë intervista, është kryesisht një prej sfidave kryesore. Deri më tash ne i kemi diku rreth 800 milionëve borxhe që ATK-së ia kanë tatimpaguesit. Mirëpo ky 800 milionëshi është që prej kohës kur është themeluar ATK-ja. Sot me ligj, pas më shumë se 10 viteve konsiderohet plakja e borxheve dhe ATK-ja nuk ka të drejtë me i lyp vetëm në rastet e veçanta e ndërmarrjeve publike që nuk respektohet ky kriter. Sido që të jetë, janë diku borxhi i mbledhshëm është diku rreth 650 milionë. Ky vit është ndoshta viti që mbas 27 viteve për herë të parë kanë filluar borxhet me ra, për shkak të kësaj reformës që e kemi bërë. Diku 40 për qind kemi inkasuar më shumë nga borxhet, ose 65 për qind kemi trajtuar lëndë më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar sa i përket borxheve”, nënvizon Hyseni.
Drejtori Hyseni ka folur edhe për përgjegjësinë e mbledhjes së borxheve.
Hyseni: Nga një drejtor sa ka qenë përgjegjës për mbledhjen e borxheve e kemi decentralizuar në 12 sosh krejt
“Përveç sfidës së punëtorëve, dy janë sfidat që ne po mendojmë që janë të kalueshme. Janë kryesisht pjesa e digjitalizimit edhe mbledhja e borxheve. Në pjesën e mbledhjes së borxheve së fundmi kemi bërë një reformë, ku e kemi decentralizuar pjesën e përgjegjësisë. Nga një drejtor sa ka qenë përgjegjës për mbledhjen e borxheve e kemi decentralizuar në 12 sosh krejt. I kemi dërgu nëpër regjione ku kemi thënë regjionet që janë të obliguara me shkruar ndëshkimin ose dënimin tatimor, do të jenë të obliguara edhe me mbledh atë. Kjo na ndihmon në dy aspekte, domethënë me shpërnda pak përgjegjësinë, edhe me ngrit mandej nivelin e përgjegjësisë te qato njerëz që shkruajnë dënime ose ngarkesa tatimore për tatimpaguesit, ata do e dinë që vetë do të duhet me i mbledh”, thotë Hyseni.
Hyseni tha se, pavarësisht mungesës së rreth 40 punëtorëve, ATK-ja ka rritur numrin e kontrolleve dhe vizitave te tatimpaguesit.
Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar, numri i kontrolleve është rritur për 35 për qind, ndërsa vizitat për rreth 40 për qind.
Ai tha se deri më tash janë realizuar rreth 1 mijë e 350 kontrolle dhe 22 mijë vizita te tatimpaguesit.
Megjithatë, Hyseni tha se mban një dozë vetëkritike për punën e institucionit. Ai shtoi se ATK-së do t’i jepte notën 7.
Hyseni: Edhe pse kemi diku nja 40 punëtorë më pak, kemi arritur me rrit numrin e kontrolleve për 35 përqind
“Publiku ish dashtë me vlerësu në bazë të shifrave që i japim ne. Nëse krahasojmë me vitin e kaluar, ne i kemi diku nja 40 punëtorë më pak për shkak të plakjes së stafit që bëhet edhe pensionimet e parakohshme që i marrin njerëzit. Megjithatë, edhe pse kemi diku nja 40 punëtorë më pak, ne kemi arritur me rrit numrin e kontrolleve për 35 përqind e të vizitave diku për 40 për qind. Që i bie në kontrolla ne kemi bërë deri më tash diku 1 mijë e 350 kontrolle e 22 mijë vizita tek tatimpaguesit… Mirëpo në këtë kontekst, edhe pse duket që jemi rritur me shifra me rezultate, megjithatë unë e mbaj një dozë të vetëkritikës. Nëse më kishe pyet për cilën notë ja kisha dhënë, ne kishim shkua te një 7-she…Po mbi mesatare konsideroj. Të marrë parasysh edhe nëse krahasohemi me vendet e rajonit që ne jemi një shtet së fundi i ndërtuar me diku 27 vite, edhe ka shtete të rajonit që nuk kanë pasur ndërprerje të shtetndërtimit edhe janë jo më mirë se ne, në disa raste dhe më keq”, thekson Hyseni.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, ka thënë se digjitalizimi dhe mbledhja e borxheve janë 2 sfidat kryesore të institucionit. Sipas tij, ATK-ja ka decentralizuar mbledhjen e borxheve nga 1 drejtor në 12 përgjegjës rajonalë.

