Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me zhvillimet e mbrëmjes së sotme gjatë protestës pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë.
Sipas Policisë, disa protestues kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të situatës, Policia ka përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit, me qëllim të shpërndarjes së turmës dhe parandalimit të eskalimit të situatës.
Si pasojë e zhvillimeve, tre persona janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa ndaj tyre veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Policia ka bërë të ditur se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të ndryshme dhe u është ofruar trajtim mjekësor. Ndërkohë, 11 qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas Policisë, ndërhyrjet janë bërë vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë, duke theksuar se protestuesit paqësorë nuk janë penguar.
Policia ka njoftuar se protesta po vazhdon edhe në orët e vona, por aktualisht situata është e qetë. Zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

