Sot, më 5 tetor, shënohet Dita Botërore e Mësuesit, kushtuar rolit dhe kontributit të mësimdhënësve në arsim dhe zhvillimin e shoqërisë.
Në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, 7 marsi tradicionalisht shënohet si Dita e Mësuesit. Kjo datë lidhet me hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, më 7 mars 1887.
Megjithatë, në nivel ndërkombëtar, 5 tetori njihet si Dita Botërore e Mësuesit, shkruan KosovaPress.
Kjo ditë shënohet që nga viti 1994 dhe përkujton miratimin, më 5 tetor 1966, të Rekomandimit të përbashkët të Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe UNESCO-s për statusin e mësuesve.
Ky dokument përcaktoi standarde ndërkombëtare për të drejtat dhe përgjegjësitë e mësuesve. Ai trajton gjithashtu përgatitjen profesionale, punësimin, kushtet e punës dhe zhvillimin e vazhdueshëm të tyre.
Dita Botërore e Mësuesit është njëkohësisht mundësi për të vlerësuar punën e mësimdhënësve dhe për të rikthyer vëmendjen te sfidat me të cilat përballet profesioni.
UNESCO thekson se kjo ditë synon të vlerësojë mënyrën se si mësuesit ndikojnë në transformimin e arsimit. Ajo shërben edhe për të reflektuar mbi mbështetjen që u nevojitet për ta ushtruar profesionin e tyre.
Mësuesit kanë rol thelbësor jo vetëm në përcjelljen e dijes, por edhe në formimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e shoqërisë.
Dita Botërore e Mësuesit shënohet në bashkëpunim nga UNESCO, Organizata Ndërkombëtare e Punës, UNICEF-i dhe Education International.

