Marinika Tepiq, një nga bartëset e listës zgjedhore “Serbia Evropiane”, ka deklaruar se transferimi i parave dhe pasurisë jashtë vendit nuk do t’i pengojë hetimet financiare dhe përcaktimin e prejardhjes së pasurisë që rrjedh nga korrupsioni.
“Po shohim se paratë po transferohen jashtë vendit, po pastrohen përmes blerjes së patundshmërive dhe po tentohet që pasuria të largohet nga Serbia. Kot! Kufiri i Serbisë nuk do të jetë kufiri i hetimit. Do t’i gjejmë dhe do t’u kthejmë qytetarëve çdo euro për të cilën përmes hetimit ligjor vërtetohet se është fituar në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar Tepiq.
Ajo ka bërë të ditur se tashmë u ka dorëzuar institucioneve italiane dokumentacionin lidhur me patundshmëritë e zyrtarëve të regjimit në Triestë dhe ka kërkuar verifikimin e prejardhjes së tyre dhe mënyrës së financimit, raportojnë mediat serbe, përcjell KosovaPress.
“Do të insistojmë në bashkëpunim konkret të Serbisë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucionet evropiane, përfshirë Eurojust-in në hetimet financiare ndërkufitare. Ky mekanizëm duhet të shfrytëzohet kur gjurma e parave çon jashtë Serbisë”, ka shtuar Tepiq.
Ajo tha se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme do të ngrihet dhe konfiskohet përmes procedurave ligjore.
“Një banesë në Itali, një llogari në Qipro apo një firmë jashtë vendit nuk e ndërpresin gjurmën e parave. Mund t’i bartni paratë përtej kufirit, por kufiri i Serbisë nuk do të jetë kufiri i hetimit financiar. Kemi gati mekanizma të hetimit financiar që arrijnë deri te parajsat fiskale, deri në Hong Kong dhe te kriptomonedhat në Kinë”

