Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se 126 nga gjithsej 138 pacientë të regjistruar me fibrozë cistike aktualisht janë duke marrë terapi moderne.
Sipas ministrisë, trajtimi me modulatorë të CFTR-së është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit. Në vitin 2021, terapi të tillë merrnin vetëm tre pacientë, ndërsa sot numri ka arritur në 126. Trajtimi është bërë i disponueshëm për pacientët që plotësojnë kriteret mjekësore, përfshirë edhe fëmijët nga mosha dyvjeçare dhe personat me mutacione të rralla gjenetike.
Zgjerimi i terapisë është mundësuar përmes rritjes së financimit nga buxheti shtetëror dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor, si dhe negociatave me kompaninë prodhuese Vertex. Një rol të rëndësishëm në diagnostikimin e hershëm ka luajtur edhe skriningu neonatal, i cili nga viti 2019 zbatohet si program kombëtar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në trajtimin e pacientëve janë përdorur barna si Kalydeco dhe Trikafta, ndërsa gjatë viteve të fundit terapia është zgjeruar gradualisht edhe për grupmosha më të reja.
Institucionet shëndetësore theksojnë se kujdesi për pacientët me fibrozë cistike është përmirësuar edhe përmes bashkëpunimit me qendra të specializuara evropiane, përfshirë institucione në Berlin dhe Kembrixh.
Maqedonia e Veriut është pjesë edhe e Regjistrit Evropian të Pacientëve me Fibrozë Cistike, përmes të cilit rezultatet e trajtimit monitorohen dhe krahasohen me standardet evropiane.

