Pre. Tet 2nd, 2026

Kurti pas takimit me von der Leyen: Kosova ka shënuar përparim të dukshëm

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm në demokraci, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Ai këto komente i bëri pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron sot në Kosovë.

Kurti tha se, sipas vlerësimeve të pavarura, vendi ka shënuar përmirësim të treguesve demokratikë, në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit. Ai theksoi gjithashtu se zgjedhjet në Kosovë janë të lira, të drejta dhe konkurruese.

Sa i përket ekonomisë, Kurti tha se Kosova po regjistron rritje prej rreth katër për qind në vit, ndërsa borxhi publik, sipas tij, mbetet ndër më të ulëtit në Evropë. Ai përmendi edhe rritjen e pensioneve, pagës minimale dhe masat sociale për fëmijët dhe nënat.

Në takim me von der Leyen, Kurti tha se ka kërkuar përshpejtimin e integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë, përfshirë anëtarësimin në Konventën për Tranzitin e Përbashkët dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.

Kurti u shpreh se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Kryeministri foli edhe për Planin e Rritjes së BE-së, duke thënë se Qeveria ka miratuar ligjet e nevojshme për reformat, ndërsa paralajmëroi se zvarritja e punës së Kuvendit mund të ndikojë në përfitimin e fondeve evropiane. Ai tha se pret që Kuvendi t’i procedojë sa më shpejt këto ligje, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga mbështetja e paraparë për reformat.

Postime të Ngjashme