Mër. Sht 30th, 2026

​Mbi 400 të arrestuar në Francë, nxënësit bllokojnë shkollat dhe përleshen me policinë

Mbi 400 persona, shumica të mitur, janë arrestuar në Francë gjatë protestave të nxënësve kundër klasave të mbipopulluara, mungesës së mësuesve dhe orareve të ngarkuara mësimore.

Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nunez, bëri të ditur se të martën janë arrestuar 440 persona në gjithë vendin. Sipas tij, rreth dy të tretat e të arrestuarve janë dërguar në paraburgim.

Ministria e Arsimit njoftoi se protestat dhe ndërprerjet prekën rreth 400 nga afërsisht 3,700 shkolla të mesme në Francë, shkruajnë mediat franceze, transmeton KosovaPress. Prej tyre, rreth 40 u bllokuan plotësisht, ndërsa në 44 të tjera pati tentativa për bllokim.

Protestat nisën javën e kaluar në rajonin e Parisit dhe më pas u përhapën në qytete të tjera.

Nxënësit po kërkojnë kushte më të mira në shkolla. Ata ankohen për mungesë mësuesish, klasa të mbipopulluara dhe orare të gjata mësimore.

Në Lille, protestuesit u vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe hodhën sende në drejtim të policisë. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Përplasje mes nxënësve dhe policisë pati edhe në Bordeaux, Rennes, Nantes dhe qytete të tjera.

Sipas ministrit Nunez, 48 pjesëtarë të forcave të rendit u lënduan gjatë incidenteve. Ai tha se në shtatë raste ndaj policëve ishte hedhur acid klorhidrik.

“Dhuna nuk është kurrë legjitime”, deklaroi Nunez, duke thënë se protestat nuk mund të justifikojnë sulmet ndaj policisë.

Në shkollën Lamartine në Paris, nxënësit protestuan edhe kundër orareve të gjata. Në pankartat e tyre shkruhej se mësimi nga ora 08:00 deri në 18:00 u linte atyre “më shumë orë mësimi sesa gjumë”.

Në Seine-Saint-Denis, qindra nxënës protestuan para Lycee Paul-Eluard. Protestës iu bashkua edhe kryetari i komunës, Bally Bagayoko, i cili i cilësoi kërkesat e nxënësve si legjitime. Ai pretendoi se zonat me të ardhura më të ulëta marrin më pak burime për arsim.

Protestat kanë nxitur edhe përplasje politike.

Kryeministri Sebastien Lecornu ka dënuar dhunën pranë shkollave dhe ka deklaruar se përshkallëzimi i protestave do të ishte “i papërgjegjshëm”.

Ndërkaq, Jean-Luc Melenchon, udhëheqës i partisë së majtë La France Insoumise, ka kritikuar reagimin e autoriteteve. Ai e ka akuzuar qeverinë për represion ndaj nxënësve dhe ka pretenduar se reagimi policor kishte edhe nëntekst racist.

Lecornu i hodhi poshtë këto akuza, duke e cilësuar ndërhyrjen e Melenchon si “përshkallëzim të papërgjegjshëm”.

Protestat e nxënësve përkuan me grevat e punonjësve të sektorit publik kundër planeve buxhetore të qeverisë. Mësuesit dhe punonjës të tjerë të sektorit publik iu bashkuan mobilizimit kombëtar.

Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme ka kërkuar më shumë burime për arsimin, duke përmendur klasa me deri në 32-35 nxënës dhe mungesë të mësuesve dhe stafit.

Organizata ka bërë thirrje që protestat të vazhdojnë në mënyrë paqësore.

Postime të Ngjashme