Mër. Sht 30th, 2026

Seanca e radhës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj Dushan Maksimoviqit dhe të akuzuarve të tjerë për barrikadat e vendosura në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022, pritet të mbahet sot.

Sipas aktakuzës, Maksimoviqi, Millosh Radosavljeviqi dhe Nemanja Joloviqi dyshohen për pjesëmarrje në vendosjen e barrikadave në Zveçan, ku rrugët ishin bllokuar me kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë dhe automjete të tjera. Prokuroria pretendon se qëllimi ishte pengimi i institucioneve shtetërore dhe i Policisë së Kosovës në ushtrimin e detyrave të tyre në veri të vendit.

Seanca e fundit, e paraparë për 17 shtator, ishte shtyrë për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve dhe dy avokatëve mbrojtës. Për mungesën e tyre, gjykata kishte shqiptuar gjoba prej 500 eurosh për secilin avokat.

Ndërkohë, dy të akuzuar të tjerë në këtë rast janë dënuar me nëntë muaj, respektivisht një vit burgim, pasi kishin pranuar fajësinë. Maksimoviqi, ndërkaq, në një proces tjetër, në prill të këtij viti është dënuar në shkallë të parë me 30 vjet burgim për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Postime të Ngjashme