Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Qeverisë dhe afatin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Sipas aktgjykimit, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026. Gjykata ka sqaruar se, nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, aktivizohet pasoja kushtetuese e paraparë me nenin 82 të Kushtetutës, që lidhet me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Në të njëjtin aktgjykim, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Megjithatë, kjo nuk e ka bërë antikushtetuese zgjedhjen e Qeverisë.
Gjykata ka vlerësuar se vendimi i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Kushtetuesja ka kërkuar gjithashtu që Kuvendi, sa më parë, të zgjedhë nënkryetarin që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
Aktgjykimi ka hyrë në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
Kështu, 6 tetori mbetet data kyçe për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Në rast se procesi nuk përmbyllet deri atëherë, sipas pasojës kushtetuese të përcaktuar në aktgjykim, Kuvendi do të shpërndahej dhe vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.

