Enj. Sht 24th, 2026

Ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin, ish-kreu i SHISH-it Vlora Hyseni paraqitet sot në Gjykatën e Posaçme

Ish-drejtorja e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, do të paraqitet mesditën e kësaj të enjteje në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u marrë në pyetje.

Sipas njoftimit të GJKKO-së, seanca për marrjen në pyetje të ish-drejtoreshës së SHISH-it do të mbahet në orën 12:00. Ndërkaq, në orën 09:00 është caktuar seanca për Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin.

Ndaj Vlora Hysenit, Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK-ut, ka vendosur dy masa sigurie: “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike”. Ajo dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin me informacione shtetërore, ndërsa ky i fundit ndodhej në arrati.

Sipas SPAK-ut, Vlora Hyseni është nën hetim për dy vepra penale: “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve sekrete”. Hetimi lidhet me aferën e AKSHI-t, ku Ergys Agasi dyshohet se kishte krijuar një grup kriminal që vepronte brenda këtij institucioni.

Prokurorët dyshohet se kanë zbuluar komunikime mes Hysenit dhe Agasit edhe gjatë kohës kur ky i fundit ishte në arrati.

Në kuadër të të njëjtit aksion të SPAK-ut, janë arrestuar edhe Embro Sulejmani, punonjës i Agroturizmit “Kodra e Kuajve”, i cili dyshohet se ndihmonte Agasin gjatë arratisë, si dhe Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për nxjerrje të dokumenteve sekrete.

SPAK-u ka urdhëruar gjithashtu kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Postime të Ngjashme