Eugen Cakolli nga shoqëria civile ka ngritur shqetësime lidhur me aktgjykimin e sotëm ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, me të cilin iu shqiptua dënimi prej 17 muajsh burgim për pengim të drejtësisë.
Cakolli, përmes profilit të tij, ka theksuar se vendimi që ky dënim të vuhet veçmas nga ai prej 25 vjetësh në rastin kryesor, nëse të dy aktgjykimet mbeten në fuqi, do ta çonte dënimin e përgjithshëm të Thaçit në 26 vjet e pesë muaj burgim.
Megjithatë, sipas tij, çështja më problematike mbetet mënyra se si do të llogaritet koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim, veçanërisht pas urdhërarrestit të dytë të lëshuar më 5 dhjetor 2024.
“Me aktgjykimin e sotëm, Hashim Thaçit iu shqiptuan edhe 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë. Gjykatësi vendosi që ky dënim të vuhet VEÇMAS nga ai prej 25 vjetësh në rastin kryesor, që do të thotë se, nëse të dy aktgjykimet mbeten në fuqi, dënimi i përgjithshëm për Thaçin do të jetë plot 26 vjet e 5 muaj burgim. Por, pjesa më problematike ka të bëjë me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim. Që nga 5 dhjetori 2024, Thaçi është subjekt i një urdhërarresti të veçantë pikërisht për rastin e pengimit të drejtësisë. Kjo do të thotë se kanë kaluar mbi 23 muaj nën urdhërarrestin e dytë, ndonëse dënimi i shqiptuar sot është vetëm 17 muaj”, tha Cakolli.
Cakolli ka bërë një krahasim edhe me dy të dënuarit e tjerë në këtë proces, për të cilët është përcaktuar që koha e kaluar në paraburgim t’u llogaritet në dënim.
Ai ka vënë në pikëpyetje arsyetimin për mosllogaritjen e periudhës së paraburgimit nën urdhërarrestin e dytë në dënimin e shqiptuar ndaj Thaçit, duke iu referuar edhe rregullave të vetë Gjykatës.
“Për dy të dënuar të tjerë në këtë rast, u përcaktua shprehimisht se koha e kaluar në paraburgim u llogaritet në dënim, të cilin tashmë e kanë përfunduar. Për Thaçin, ndërkaq, u vendos që dënimi të jetë shtesë, pa sqaruar qartë se si do të llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nën urdhërarrestin e dytë. Vet rregullat e Gjykatës parashohin zbritjen e kohës së kaluar në paraburgim nga dënimi. Ndërsa, gjykatësi duket se ka ndjekur parimin që e njëjta periudhë të llogaritet vetëm një herë, duke ia njohur atë dënimit në rastin kryesor. Por, nëse urdhërarresti i dytë ka pasur fuqi të pavarur për ta mbajtur Thaçin në paraburgim, qysh ka logjikë që koha e kaluar nën të të mos i njihet në dënimin për të njëjtin rast?”, shkroi ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në aktgjykimin e shpallur të martën, e dënuan Hashim Thaçin me 17 muaj burgim, pasi e shpallën fajtor për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

