Ndërmarrja “Trepça” ka nisur lirimin dhe rikthimin në posedim të një parcele në Prishtinë, në afërsi të Fakultetit të Arteve, për të cilën posedon dokumentacionin e pronësisë.
Kështu thotë për KosovaPress, Burim Hajdini, zyrtar për menaxhimin e pronave dhe aseteve në kuadër të “Trepçës”, i cili theksoi, se parcela nuk ka qenë në shfrytëzim nga ndërmarrja që nga paslufta.
Përveç lirimit të pronës, “Trepça” pretendon se ndër vite ka pësuar dëme të mëdha financiare për shkak të pamundësisë për ta shfrytëzuar pronën. Derisa, ndërmarrja ka edhe obligime tatimore që lidhen me këtë pronë në vlerë mijëra euro.
Hajdini: Sot në vazhdën e lirimit të pronave të ndërmarrjes “Trepça Sh.A.”, sot gjendemi në Prishtinë
“Po, sot në vazhdën e lirimit të pronave të ndërmarrjes “Trepça Sh.A.”, sot gjendemi në Prishtinë. Pasi që Trepça e ka në pronësi këtë parcelë, ne kemi ardhur sot për me lirua. Që pas luftës ne nuk e kemi pas në shfrytëzim. Tani jemi duke vendosë edhe laurën që kemi vendosur para pak ditësh, edhe reklamën e Trepçës që do të thotë kjo është në pronësi të Trepçës. Gjithashtu të gjithë objektet përreth janë pronë, në pronësi të ndërmarrjes Trepça. Me disa nga lokalet këtu tashmë kemi edhe marrëveshje, që jemi të obliguar ashtu me i liruar si parking për me shfrytëzua”, thekson Hajdini.
Hajdini thotë po ashtu se, aktualisht kanë një kontratë me një institucion shtetëror për shfrytëzimin e parkingut dhe një aneks shtesë.
Hajdini: Për momentin kemi një marrëveshje me një institucion shtetëror
“Po, për momentin e kemi me një institucion shtetëror që e kemi një marrëveshje, një kontratë që jemi të obliguar shumë, edhe parkingun e kemi në kuadër të marrëveshjes me ta”, tha Hajdini.
Ai po ashtu tha se pronarët e automjeteve do t’i largojnë vetë ato.
Sipas tij, për veprimet e sotme janë njoftuar Inspektorati, Komuna dhe Policia.
Hajdini: Të gjitha organet e drejtësisë i kemi informuar për këtë veprimtari sot
“Jo, këto do të tërhiqen gradualisht, do të tërhiqen. Nuk do të marrim masa të dhunshme. Secili do ta tërheqë vetë makinën që e ka këtu…Ne të gjitha organet e drejtësisë i kemi informuar për këtë veprimtari sot. I kemi informuar edhe inspektoriatin, edhe komunën, edhe policinë e të gjitha…Për momentin s’kemi marrë përgjigje sepse prona është e jona dhe jemi në harmoni me ligjin, në harmoni me rregulloren, që nuk kërkon as një prezencë të institucioneve tjera”, ka shtuar Hajdini.
Hajdini ka bërë të ditur se “Trepça” është në procedura për këtë parking që nga viti 2024, por deri më tani, sipas tij, nuk ka marrë përgjigje konkrete nga institucionet.
Hajdini: Ne për këtë parking jemi në procedura prej vitit 2024
“Ne për këtë parking jemi në procedura prej vitit 2024. Sot po bëhet 2026-a ende nuk kemi marrë një përgjigje konkrete…Po, për shkak se është pronësia, certifikata e pronësisë, të gjitha dokumentet janë në kuadër të Trepçës Sh.A…Për momentin objektin e ka në shfrytëzim Fakulteti i Arteve. Si objekt e kemi në kontest gjyqësor, që jemi duke pritur vetëm vendimin e organeve të drejtësisë, vendimin meritor…Që dy vite e kemi lëndën në gjykatë. Në momentin që kemi një verdikt nga gjykata, në harmoni me vendimin do të marrim masat”, nënvizoi Hajdini.
Hajdini ka deklaruar se, bazuar në çmimet e tregut në këtë zonë, ndërmarrja llogarit se do të mund të realizonte rreth 45 mijë euro në muaj nga qiraja, apo afërsisht 500 mijë euro në vit.
Hajdini: Sipas një kalkulimi ne llogarisim diku 45 mijë euro qira mujore
“Sipas kërkesave të tregut në këtë regjion, sipas një kalkulimi ne llogarisim diku 45 mijë euro qira mujore, që kemi pas ofertë që na janë dorëzua në Trepça ndërmarrje. Ndërsa po të llogaritet në vit, diku i bie përafërsisht 500 mijë euro në vit. Janë të hyra që nuk janë të realizuara për shkak të mungesës së qasjes në objekt edhe të një kontrate profitabile”, tha Hajdini.
Përveç të hyrave të parealizuara, sipas Hajdinit, ndërmarrja ka krijuar edhe detyrime tatimore për këtë pronë.
Hajdini: Në të njëjtën kohë ne jemi të ngarkuar me taksat tatimore
“Në të njëjtën kohë ne jemi të ngarkuar me taksat tatimore. I kemi diku 153 mijë euro janë taksa të fakultetit që ka kriju tatim në pronë në kuadër të Trepçës. Këta me kalimin e viteve nuk e kanë deklarua se arsimi është i liruar prej tatimit, po mbi të gjitha ne ende faktikisht i kemi obligime të papaguara ndaj Administratës Tatimore për këtë objekt, me vlerë diku 153 mijë euro…Prej pasluftës, është akumulua tatimi në pronë… Trepça e ka tash, e ka si obligim ose barrë financiare ndaj Administratës Tatimore”, potencoi Hajdini.

