Die. Sht 20th, 2026

Maratona sot bllokon disa rrugë në Prishtinë e Fushë-Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, do të ketë bllokime të qarkullimit në disa rrugë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.

Sipas Policisë, nga ora 09:00 deri në përfundim të maratonës do të ndërpritet qarkullimi në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime do të ketë edhe në segmente të tjera rrugore, përfshirë një pjesë të autostradës.

Për të shmangur vështirësitë në komunikacion, Policia ka përcaktuar disa rrugë alternative.

Ngasësit nga Peja drejt Prishtinës udhëzohen të kalojnë përmes Sllatinës, Magurës dhe Lipjanit, ndërsa ata nga Peja e Fushë-Kosova mund të shfrytëzojnë rrugën përmes Sllatinës, Bardhit të Vogël dhe Kuzminit.

Ndërkaq, për udhëtimet nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës dhe Aeroportit rekomandohet itinerari Prishtinë-Lipjan-Rufc i Ri-Poturoc-Magurë-Aeroport.

Për ngasësit nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit, Policia rekomandon shfrytëzimin e autostradës nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, e më pas rrugën përmes Lipjanit, Rufcit të Ri, Poturocit dhe Magurës.

“Transporti publik (autobusët) në relacionin Prishtinë – Fushë-Kosovë -Aeroport dhe në drejtim të Pejës, nuk duhet të qarkullojnë në këtë rrugë gjatë kohës së garës, por të përdorin rrugët alternative të përmendura më sipër”, thuhet në njoftim.

Postime të Ngjashme