Projektbuxheti i Shqipërisë për vitin 2027 pritet të përfshijë një paketë të zgjeruar mbështetjeje financiare për strehimin e çifteve të reja.
Lajmi u bë i ditur sot nga kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama theksoi se objektivi i këtyre politikave sociale është krijimi i kushteve që më shumë të rinj e të reja të kenë mundësi të krijojnë familjen e tyre, të kenë një strehë të sigurt dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Duke e cilësuar sigurimin e një banese si një nga dëshirat më të rëndësishme të çdo çifti të ri, Rama njoftoi se në kuadër të buxhetit 2027 janë parashikuar në total 4 000 kredi të lehtësuara për blerjen e shtëpisë së parë.
Gjysma e tyre do të ofrohen me interes 0% për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 60 000 euro, ndërsa 2 000 kredi të tjera me normë interesi të subvencionuar në masën 3%.
Programi adreson edhe familjet e reja që aktualisht nuk i përmbushin kushtet financiare për kredi, ku është parashikuar aplikimi i një bonusi qiraje, i cili synon të lehtësojë koston mujore të strehimit.

