Një zëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje.
Në përgjigjen e BE-së theksohet se “Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale”.
Më pas përmendet se “personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjykatësve të pavarur të apelit në një Panel Apeli të veçantë”.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve, në Kosovë dhe në rajon, që të tregojnë përmbajtje. DHSK-ja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësisë duhet t’i lejohet të ndjekë rrugën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën”, tha BE për Gazetën Express.
Tutje në përgjigje thuhet se “BE-ja rikujton mbështetjen e saj të vazhdueshme për DHSK-në si një institucion i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës. Puna e tij është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies dhe dhënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës, duke kontribuar kështu në pajtim. Mbetet thelbësore të promovohet një mjedis i lirë nga frikësimi, frika dhe hakmarrjet, si dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët”.

