Enj. Sht 10th, 2026

Reagon Valon Prebreza, do ta lirojë nga detyra drejtorin e arrestuar, Gëzim Zogianin

Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, reagoi sot, tre ditë pas shoqërimit në polici të pesë zyrtarë të Komunës që e drejton, e për të cilin aksion raportoi së pari KosovaPress.

Në një postim drejtuar qytetarëve, ai tha se gjendet jashtë vendit që nga e marta edhe kur ui zhvillua aksioni i organeve të drejtësisë, por u zotua se menjëherë pas kthimit tim do ta liroj nga detyra Gëzim Zogianin, Drejtorin e Pronës që u arrestua, deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë.

“Qytetarëve të Fushë Kosovës ua kam dhënë fjalën për një qeverisje ndryshe dhe asnjë emër, pozitë apo interes nuk do të jetë më i rëndësishëm se kjo fjalë. Nën qeverisjen time nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd. Transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit nuk janë slogane elektorale, por standard mbi të cilin do të funksionojë Komuna e Fushë Kosovës”, shkroi Prebreza, duke pohuar se nuk do ta paragjykoj përgjegjësinë e askujt. “Atë e përcaktojnë vetëm organet e drejtësisë. Nga informacionet që posedoj deri më tani, hetimet lidhur me çështjen dhe pronën në fjalë kanë filluar më herët dhe për të njëjtën çështje ka pasur të arrestuar edhe gjatë vitit 2025”.

Në posti tha se po e bën të qartë edhe një gjë.

“Koha kur politika mbyllte sytë përballë dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka përfunduar”, shkroi ai duke u zotuar se komuna e Fushë Kosovës do t’i hapë dyert për Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë dhe do të ofrojë bashkëpunim të plotë për çdo hetim. “Kushdo që ka shkelur ligjin, kushdo që ka keqpërdorur pozitën apo besimin e qytetarëve, duhet të mbajë përgjegjësi — pa dallim emri, pozite apo përkatësie”.

“Ne kemi marrë besimin e qytetarëve për ta ndryshuar mënyrën se si qeveriset Fushë Kosova.Dhe këtë besim nuk do ta negociojmë me askënd”, përfundoi postimin Prebreza.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për t’ia caktuar masën e paraburgimit pesë të dyshuarve G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në vend të paraburgimit, gjykata u caktoi masën e ndalimit për t’iu afruar më shumë se 200 metra Komunës së Fushë-Kosovës.

Të pesë të dyshuarit akuzohen për tjetërsimin e një prone me vlerë 1.5 milionë euro.

Postime të Ngjashme