Enj. Sht 10th, 2026

Premtimi i ri i Trumpit: Pesë mijë dollarë për çdo amerikan të rritur nëse fitojmë zgjedhjet

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një premtim të pazakontë gjatë tubimit të republikanëve në Dallas, duke deklaruar se çdo amerikan i rritur mund të përfitojë nga 5 mijë dollarë nëse Partia Republikane ruan kontrollin mbi të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e nëntorit.

Trump e ka cilësuar pagesën si një “dividend të Trumpit”, duke thënë se ajo do të ishte një përfitim për qytetarët amerikanë dhe se paratë duhet të shpenzohen brenda Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, ende nuk janë bërë të qarta mënyra e financimit dhe mekanizmi për realizimin e kësaj pagese. Sipas vlerësimeve, një skemë e tillë mund të kushtojë rreth 1.35 trilion dollarë, nëse do t’u jepej pagesa rreth 270 milionë të rriturve amerikanë.

Zëvendëspresidenti JD Vance ka lënë të kuptohet se pagesa mund të mos përfshijë amerikanët me të ardhura të larta, ndërsa Trump ka përmendur të ardhurat nga tarifat si një burim të mundshëm financimi.

Premtimi vjen në prag të zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit, në të cilat republikanët synojnë të ruajnë kontrollin si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat.

Postime të Ngjashme