Nxënësit e Kosovës kanë shënuar rezultate dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së në testin PISA 2025.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) është organizatë ndërkombëtare që harton analiza, standarde dhe rekomandime në fusha si arsimi, ekonomia, punësimi dhe mirëqenia sociale. Ajo organizon edhe testin PISA, i cili vlerëson njohuritë dhe aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë.
Në shkencë, Kosova ka marrë mesatarisht 357 pikë. Në lexim ka arritur 340 pikë, ndërsa në matematikë 350 pikë. Rezultati më i lartë është shënuar në zgjidhjen e problemeve kompjuterike, me 359 pikë.
Mesatarja e OECD-së ishte 482 pikë në shkencë, 461 në lexim dhe 463 në matematikë. Në zgjidhjen e problemeve kompjuterike, mesatarja ishte 500 pikë.
Krahasuar me vitin 2022, rezultati i Kosovës në shkencë ka mbetur i pandryshuar. Në lexim është shënuar rënie prej dy pikësh, ndërsa në matematikë prej pesë pikësh.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në testimin e zhvilluar nga 10 deri më 30 maj 2025 morën pjesë 6.632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla.
“Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se performanca mesatare e nxënësve të Kosovës në shkencë, me 357 pikë, dhe në lexim, me 340 pikë, ka mbetur përafërsisht në nivelin e vitit 2022. Në matematikë, me 350 pikë, performanca mesatare është më e ulët për pesë pikë krahasuar me vitin 2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Aty, po ashtu, shtohet se leximi preliminar i rezultateve tregon se ndërhyrjet metodologjike dhe pedagogjike duhet të përqendrohen në rritjen e cilësisë së mësimit dhe përparimin e të gjithë nxënësve.
“Prioritet i veçantë duhet t’i kushtohet zhvillimit të aftësive të aplikuara në matematikë, shkencë dhe lexim, veçanërisht aftësive për të menduar në mënyrë kritike, për të interpretuar informacionin, për të zgjidhur probleme dhe për të zbatuar njohuritë në situata të jetës reale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Të dhënat tregojnë se vetëm rreth 21 për qind e nxënësve arritën të paktën Nivelin 2 në shkencë. Në matematikë këtë nivel e arritën 15 për qind, ndërsa në lexim rreth 16 për qind.
Numri i nxënësve që kanë arritur nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël. Ministria vlerëson se nevojitet mbështetje më e madhe për nxënësit me rezultate të ulëta. Po ashtu, kërkohen programe të veçanta për nxënësit me performancë të lartë.
Vajzat kanë shënuar rezultate më të mira se djemtë në të tri fushat. Në shkencë, ato kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë. Diferenca është 19 pikë.
Në lexim, vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë te djemtë. Diferenca në këtë fushë është 36 pikë.
Rezultatet në matematikë janë pothuajse të barabarta. Vajzat kanë marrë 351 pikë, ndërsa djemtë 350.
Një problem tjetër i evidentuar është mungesa e nxënësve në mësim. Rreth 54 për qind deklaruan se kishin munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testimit. Ndërkohë, 56 për qind kishin munguar në të paktën një orë mësimore.
Ministria ka vlerësuar se nevojiten mekanizma më të mirë për monitorimin e vijueshmërisë dhe bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.
Raporti rekomandon forcimin e mësimdhënies së bazuar në situata reale dhe zbatimin praktik të njohurive. Kërkohet edhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe përmirësimi i menaxhimit të klasës.
Rekomandohet gjithashtu përdorimi më efektiv i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për kërkim, analizë, verifikim dhe krijimin e pavarur të njohurive.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i analizojë të gjitha gjetjet, rezultatet dhe të dhënat e dala nga PISA 2025. Raporti do të shërbejë si referencë qendrore për ndërhyrjet dhe përmirësimet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike, të cilat do të reflektohen në Strategjinë e re të Arsimit”, thuhet në njoftim.

