Një javë pas nisjes së vitit të ri shkollor 2026/2027, në shkollat e Kosovës, ende nuk kanë arritur ditarët e klasave, ndërsa mësimdhënësit po detyrohen të mbajnë evidencën e orëve dhe mungesave të nxënësve në fletë të printuara.
Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë, drejtoria ka përgatitur një format të përkohshëm të ditarit në letër A4, të cilin mësimdhënësit po e përdorin deri në furnizimin me ditarë zyrtarë.
Drejtori i kësaj shkolle, Halil Braha, thotë për KosovaPress, se të gjitha shënimet e bëra gjatë kësaj periudhe do të barten më vonë në ditarët e klasave, ndërsa fletët do të ruhen në arkivin e shkollës.
Braha tha se një situatë e ngjashme me vonesën e ditarëve kishte ndodhur edhe gjatë pandemisë, e edhe atëherë kjo vonesë kishte zgjatur vetëm tri ditë pas fillimit të vitit shkollor.
Sipas tij, mungesa e ditarëve po krijon vështirësi edhe në evidentimin e mungesave të nxënësve dhe në regjistrimin e rregullt të orëve mësimore.
Ndërsa ata nuk kanë marrë ndonjë sqarim zyrtar për arsyen e vonesës.
Mungesën e ditarëve në shkollat e Prishtinës e ka konfirmuar edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili tha se bëhet fjalë për një problem që po ndikon në funksionimin e rregullt të procesit mësimor.
Ai ka bërë të ditur se sipas informacioneve jo zyrtare që kanë, ditarët pritet të arrijnë gjatë javës së ardhshme.
Për mungesën e ditarëve ka reaguar edhe Rrjeti i OJQ-ve AVONET, i cili e ka cilësuar situatën si “dështim të papërgjegjshëm institucional”.
Sipas AVONET-it, ditari shkollor është një nga mjetet themelore për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor, ndërsa mungesa e tij ngre pikëpyetje për planifikimin dhe menaxhimin institucional të fillimit të vitit shkollor.
AVONET ka vlerësuar se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si një vonesë e zakonshme administrative, duke theksuar se katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i problemeve në planifikim dhe koordinim institucional.
E derisa Ministria e Arismit nuk ka dhënë asnjë arsyetim, operatori i përzgjedhur nga kjo ministri ka thënë se procesi i përgatitjes së dokumentacionit shkollor, përfshirë librin e klasës dhe ditarët, është aktualisht në fazën përfundimtare, ndërsa furnizimi pritet të nisë gjatë fundjavës.
“Gjatë kësaj fundjave pritet të fillojë furnizimi i librarive lokale të autorizuara, të cilat më pas, në fillim të javës së ardhshme, do të bëjnë furnizimin e shkollave në komunat përkatëse. Vonesa ka të bëjë me kohën e përfundimit të procedurave dhe me procesin e hartimit, përgatitjes dhe prodhimit të dokumentacionit. Njëkohësisht, jemi ende në pritje të kërkesave nga disa Drejtori Komunale të Arsimit, të cilat nuk i kanë përcjellë ende sasitë e sakta të nevojshme për furnizim. Pranimi i këtyre të dhënave është i domosdoshëm për planifikimin dhe realizimin e furnizimit sipas komunave”, thuhet në përgjigjen e operatorit ekonomik dërguar mediave.

