Mër. Tet 21st, 2026

OSBE-ja evidenton dobësi në drejtësi: Vonesat dhe mangësitë vazhdojnë në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e trajtimit të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por ende mbeten sfida që ndikojnë në efikasitetin dhe cilësinë e proceseve gjyqësore.

Sipas raportit të ri të Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, reformat institucionale kanë sjellë përparim në planifikimin strategjik, përdorimin e mjeteve digjitale dhe trajnimin e profesionistëve të drejtësisë. Megjithatë, këto ndryshime ende nuk janë reflektuar në mënyrë të njëtrajtshme në praktikën e përditshme të gjykatave.

Një nga zhvillimet pozitive të evidentuara në raport është përmirësimi i publikimit të vendimeve gjyqësore. Gjatë periudhës së monitorimit, 36 nga 41 aktgjykimet e shqyrtuara janë publikuar në internet, përfshirë të gjitha 20 aktgjykimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit.

Raporti vlerëson gjithashtu se institucionet kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e shërbimeve të interpretimit dhe përkthimit, si dhe për forcimin e komunikimit me publikun.

Megjithatë, OSBE-ja vëren se zbatimi i reformave vazhdon të jetë i pabarabartë. Ndër problemet kryesore mbeten zvarritjet e procedurave gjyqësore, veçanërisht në nivelin e apelit, mungesa e konsistencës në hartimin e aktakuzave dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore, si dhe vështirësitë në sigurimin e interpretimit dhe përkthimit të materialeve të lëndëve.

Një tjetër fushë që kërkon përmirësim është përdorimi i hetimeve financiare, konfiskimi i pasurisë dhe zbatimi i dënimeve plotësuese në rastet që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Menaxheri i projektit për komponentin e Kosovës, Kahramon Sanginov, ka vlerësuar përparimin e institucioneve të drejtësisë dhe zbatimin e disa prej rekomandimeve të mëhershme të OSBE-së. Ai ka theksuar se hapi i radhës është që këto përparime të shndërrohen në rezultate të qëndrueshme në përgatitjen, menaxhimin dhe vendosjen për rastet komplekse.

Në rekomandimet e saj, OSBE-ja kërkon përcaktim më të qartë të përgjegjësive institucionale, mbikëqyrje më të fuqishme të zbatimit të rekomandimeve, si dhe investime të vazhdueshme në ekspertizën profesionale dhe burimet operative.

Raporti thekson se strategjitë, udhëzimet dhe mjetet digjitale duhet të sjellin përmirësime të matshme në trajtimin e përditshëm të lëndëve, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Gjetjet dhe rekomandimet e raportit pritet të diskutohen në Forumin Rajonal Gjyqësor, i cili do të mbahet më 26 dhe 27 tetor në Budva të Malit të Zi. Në këtë forum do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale nga juridiksionet e përfshira në projekt, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe gjetjen e mënyrave për zbatimin më efektiv të reformave në sistemin e drejtësisë.

Postime të Ngjashme