Mër. Sht 2nd, 2026

Alarmante: 17 të vdekur në vende pune vetëm këtë vit

Numri i personave që kanë humbur jetën në vendin e punës në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësues. Gjatë vitit 2025, rreth 20 persona humbën jetën gjatë punës, ndërsa vetëm gjatë këtij viti numri i rasteve me fatalitet ka arritur në 17.

Rasti më i fundit është ai i 29-vjeçarit Bajram Selimi nga Kuqica e Skënderajt, i cili humbi jetën tragjikisht derisa ishte duke punuar në kantierin e ndërtimit të stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin-Potok.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:00. I riu ka pësuar lëndime të rënda gjatë punës dhe fillimisht është dërguar për trajtim në QKMF-në e Zubin Potokut.

Për shkak të gjendjes së rëndë, ai është transportuar më pas në Spitalin Klinik në Mitrovicën e Veriut, mirëpo pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 11:00 është konstatuar vdekja e tij.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.

Me vdekjen e 29-vjeçarit nga Skënderaj, numri i personave që kanë humbur jetën në vendet e punës gjatë vitit 2026 ka arritur në 17.

Shifrat vijnë në një kohë kur Inspektorati Qendror i Punës po intensifikon kontrollet në terren. Vetëm rreth një javë më parë, Inspektorati ka ndaluar punimet në 12 vendpunishte në komunat të Skenderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe Ferizajt.

Gjatë inspektimeve, sipas IQP-së, janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e punimeve deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.

Inspektorati ka bërë të ditur se punimet në këto vendpunishte mund të rifillojnë vetëm pasi të konstatohet se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

Rastet e njëpasnjëshme me fatalitet po rikthejnë në vëmendje çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes së punëtorëve në Kosovë, ndërsa inspektorati ka paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve intensive në të gjithë vendin.

Postime të Ngjashme