Mër. Sht 2nd, 2026

​Haxhiu: Kosova e çmon thellë miqësinë dhe mbështetjen e Zvicrës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova e çmon mbështetjen e Zvicrës, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve vazhdon në fushën politike, ekonomike, zhvillimore dhe të sigurisë.

Këto deklarata Haxhiu i bëri të mërkurën, gjatë pranimit të letrave kredenciale të ambasadores së re të Konfederatës Zvicerane në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.

“Kosova e çmon thellë miqësinë dhe mbështetjen e Zvicrës, e cila ka qenë pranë qytetarëve tanë në kohët më të vështira dhe vazhdon edhe sot përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, zhvillimor dhe të sigurisë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo i ka uruar mirëseardhje ambasadores Cattin Hennin dhe sukses në misionin e saj diplomatik, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj do të forcohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Me këtë rast, Haxhiu ka përmendur edhe rolin e mërgatës kosovare në Zvicër në afrimin e dy vendeve.

“Një vend të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës e ka mërgata jonë atje, e cila ka dhënë kontribut të çmuar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të të dyja vendeve”, është shprehur ajo.

Pranimi i letrave kredenciale është procedurë zyrtare diplomatike, përmes së cilës një ambasador i ri paraqet dokumentin me të cilin kreu i shtetit që përfaqëson, e akrediton atë si përfaqësues diplomatik në një shtet tjetër.

Letrat kredenciale i dorëzohen kreut të shtetit pritës. Me pranimin e tyre, ambasadori njihet zyrtarisht në këtë cilësi dhe mund të ushtrojë funksionin e tij të plotë diplomatik në shtetin pritës.

Postime të Ngjashme