Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se partia ku ai bën pjesë do të dorëzojë sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit më të vjetër, Avni Deharit.
Gruda tha se Dehari, si kryesues i përkohshëm i seancës konstituive nuk po e ushtron detyrën e tij në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
PDK e çon Deharin në Prokurori: S’po e ushtron detyrën e tij
“Partia Demokratike e Kosovës sot do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, siç e dini, për shkak të moshës është drejtues i seancës konstituive, ose kryesues i saj, dhe detyrë të cilën ai nuk po e ushtron në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës dhe me Kushtetutën e Kosovës. Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë. Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, nuk, nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive. Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Gruda, raporton KosovaPress.
PDK, sipas Grudës, vlerëson se Dehari ka tejkaluar kompetencat e rolit të tij procedural duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim nga grupet parlamentare opozitare.
Gruda: Dehari duhet ta dijë se nuk është i pari i fisit…
“Nuk mund të ketë asnjëherë një situatë ku një person publik ka autorizime zyrtare, të cilat nuk i përdorë ose i përdorë në mënyrë kundërligjore dhe të mos ketë pasoja. Ne jemi shoqëri e organizuar në shtet, nuk jemi shoqëri e organizuar në fis. Prandaj, z. Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë”, tha Gruda.
PDK vlerëson se mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje, ndërsa shton se veprimet e Deharit i kanë shërbyer kësaj agjende.
Gruda tha se PDK pret nga Prokuroria Speciale trajtimin e kallëzimit në përputhje me ligjin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së mundshme penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës, bashkë me Aleancën, tash e disa ditë po vazhdojnë të kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, gjë e cila po refuzohet nga Lëviza Vetëvendosje. kp

