Hën. Gus 24th, 2026

​Haxhiu e Kurti shënojnë ditën e pavarësisë së Ukrainës, kryetari i kësaj të fundit s’e njeh Kosovën

Kosova e ka shënuar ditën e pavarësisë së Ukrainës, të hënën, ani se ky vend, i ndodhur në luftë me Rusinë, qe më shumë se 4 vjet, nuk ia njeh shtetësinë republikës më të re në Evropë.

Një ceremoni për këtë përvjetor u zhvillua në ambientet e presidencës, kur Ushtruesja e Detyrës së kryetares, Albulena Haxhiu, bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pritën sot gazetarët ukrainas që po qëndrojnë në Prishtinë.

Me rastin e kësaj ditë, Haxhiu tha se mbështetja kosovare për popullin ukrainas ka nisur që në ditët e para të pushtimit rus, duke përmendur sanksionet ndaj Moskës, strehimin e gazetarëve dhe pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për qytetarët e këtij shteti.

“E kemi bërë këtë sepse besojmë fort në të drejtën e Ukrainës që ta zgjedhë vetë të ardhmen e saj, ta mbrojë tokën e vet dhe po ashtu që populli ukrainas të jetojë i lirë”, tha Haxhiu.

Përkrahja, sipas saj, është shtrirë edhe në fushën e mbrojtjes duke përmendur faktin se pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë në kuadër të operacionit “Interflex”, ndërsa janë dhënë dy pako ushtarake me 30 automjete dhe 10 mijë predha mortajash.

Duke iu referuar përvojës së Kosovës gjatë luftës, Haxhiu vlerësoi rëndësinë e gazetarëve për dokumentimin e ngjarjeve dhe informimin e botës.

Sipas saj, paqja duhet t’ia garantojë Ukrainës pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale.

“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës”, theksoi ajo, ndër tjera.

Derisa drejtuesit e institucioneve qendrore po rikonfirmojnë përkrahjen ndaj Kievit, një qëndrim tjetër ishte shfaqur ditë më parë nga niveli lokal. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi pamjet e heqjes së banerit të madh “Free Ukraine”, i cili që nga fillimi i pushtimit rus ishte vendosur në qendër të kryeqytetit, te Hoteli Grand, si shenjë solidariteti me popullin ukrainas.

Vendimi i të parit të kryeqytetit erdhi pas deklaratave të presidentit nga Kievi, Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd më 8 gusht kur “këmbënguli” se politika e Kievit ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar, çka nënkupton vazhdimin e mosnjohjes së pavarësisë së saj. Ai gjithashtu foli për respektimin e integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare.

Rama i Prishtinës tha se shtetësia e Kosovës duhet të respektohet edhe nga Ukraina. Sipas tij, solidariteti me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim do të vazhdojë, por shtoi se asnjë kauzë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të tij.

Postime të Ngjashme