Hën. Gus 3rd, 2026

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë në një autobus, më 2002

Gjykata Themelore në Mitrovicë më 14 shkurt 2025 kishte shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarin Azizaj e kishte liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të proceudrës peale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të shkeljes së ligjit penal, duke propozuar që lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese kishte kërkuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Gjetjet e Apelit:

Sipas vendimit të Apelit të përpiluar më 24 shkurt 2026, pretendimet lidhur me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale janë të pabazuara sepse aktgjykimi është konkret dhe i qartë, dhe se në arsyetimin e vendimit të Themelores është përshkruar gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar kjo gjykatë.

Në vendimin e Apelit, thuhet se Themelorja ka vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të drejtë dhe të plotë, duke shtuar se me provat e administruara nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale.

Sipas Apelit, përmes provave të administruara nuk është vërtetuar se i akuzuari në ditën kritike ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin, dhe se shkalla e parë ka vepruar drejt kur e ka liruar të akuzuarin nga akuza.

Në vendim të Apelit thuhet se edhe pse me veprimet e të akuzuarit kanë mundur të konsumohen elemente të veprave tjera penale si “Pjesëmarrja në rrahje”, “Rrezikimi me mjet të rrezikshëm gjatë rrahjes” apo “Mbajtja pa leje e armëve”, çdo rast i rikualifikimit të veprave penale të lartcekura do rezultonte në aktgjykim refuzues pasi do të kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Për këto arsye, Apeli vendosi të vërtetojë vendimin e Themelores.

Vendimi është marrë nga kolegji i Apelit i përbërë nga Mentor Hajra- kryetar, si dhe Skender Çoçaj dhe Xhevdet Abazi- anëtarë.

Ndryshe, dëshmitarët në këtë rast në seancën e 22 korrikut 2022 kishin deklaruar se nuk iu kujtohen në tërësi detajet e rastit.

Postime të Ngjashme