Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet kompetente janë duke realizuar zhvarrosjen (ekshumimin) me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që udhëhiqen nga Prokuroria Speciale.
Në kuadër të këtij procesi, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, M.J dhe M.B.
Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës.
Informacionet e mëtejshme do të bëhen publike vetëm në masën që nuk cenojnë integritetin e procedurës penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave.
Institucionet mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

