Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot po vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e kodit penal të Republikës së Kosovës. Aktiviteti po zhvillohet në Gjakovë.
Ekipi i IKD-së gjendet përballë hotelit “Pashtriku”, në Gjakovë, deri në ora 15:00.
“Qytetarë të shumtë tashmë e kanë mbështetur nismën me nënshkrimin e tyre, ndërsa nismën e mbështeti edhe Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, duke e nënshkruar atë”, njofton IKD-ja.
Nisma legjislative propozon: sanksionimin penal të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; dhe sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Për procedimin e nismës në kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. IKD-ja ka paralajmëruar se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Ndryshe, më 23 dhe 27 korrik, IKD-ja zhvilloi aktivitetin në qendër të Prishtinës.

