Nënkryetari i Aleancës, Smajl Latifi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se kjo parti ka bërë publike gjashtë pika, të cilat, sipas tij, nuk janë kushte, por ofertë për të ndihmuar formimin dhe konsolidimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Ai tha se nëse qeveria e ardhshme zotohet publikisht për zbatimin e këtyre pikave, Aleanca do të kontribuojë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për formimin e institucioneve.
“Ne i kemi shprehur publikisht, kryetari Ardian Gjini, kryetari i Aleancës i ka paraqitur publikisht që janë të artikuluara qartë, janë të shkruara gjashtë, le të themi, jo kërkesa, as kushte po oferta e Aleancës për si mundësi reale për ta ndihmuar formimin e institucioneve ose konsolidimin e institucioneve të dala pas zgjedhjeve. Në qoftë se kanë një zotim publik që kjo ofertë është e pranueshme për qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës, atëherë ne kontribuojmë në kuorumin që do të ndihmojë formimin e institucioneve të reja”, tha Latifi.
Sipas tij, oferta e Aleancës është në interes të qytetarëve dhe përfshin çështje strategjike për vendin.
“Pra, kërkesat tona ose oferta jonë. Aleanca nuk bën ofertë për Aleancën, po e gjithë kjo ofertë në një mënyrë apo tjetrën ndikon drejtpërdrejt te qytetarët e Republikës së Kosovës, pastaj në vendosjen ose rivendosjen ose konsolidimin e marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, sepse janë edhe kërkesa strategjike. Shembull, gazi i lëngëzuar amerikan, ose krijimi i kapaciteteve të reja energjetike që me pasur siguri, me pasur garanci energjetike Kosova të furnizimit me energji elektrike”, tha ai.
Latifi përmendi gjithashtu përmbylljen e projekteve infrastrukturore, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla dhe të mesme nga 30 mijë në 100 mijë euro, si dhe heqjen e tatimit për tokën e punuar.
“Pastaj janë kërkesat për përmbylljen e projekteve të infrastrukturës të rrugëve kudo në Kosovë, janë projekte që kanë marrë kohë të gjatë dhe duhet të përmbyllen sa më shpejt. Pastaj është kërkesa për rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë për bizneset e vogla dhe të mesme në 100 mijë, që janë rreth 100 mijë biznese që përfitojnë direkt. Menjëherë ndërron gjendja në aspektin pozitiv edhe për ato biznese dhe normalisht që e rrit mirëqenien e bizneseve, mundësitë, horizontet e reja u hap bizneseve, por edhe mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.
Ai tha se pjesë e ofertës është edhe heqja e tatimit për tokën që punohet, me qëllim të stimulimit të bujqësisë.
“Pastaj toka që punohet të mos tatohet. Sepse tatohet toka e punuar. Kjo domethënë është motiv shtesë që fermerët ta punojnë tokën, sepse ata që s’e punojnë le ta paguajnë. Pra ata që e punojnë është një mundësi e mirë që tokat e punueshme me qenë të kultivuara me kultura bujqësore, pemëtare, vreshtare, perimtari e me drithëra. Edhe kjo është diçka që u shërben direkt fermerëve, bujqve të Republikës së Kosovës”, tha Latifi.
Sipas tij, oferta përfshin edhe kërkesën për investim prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për Prishtinën.
“Kërkesa për 800 deri 1 miliard euro për kryeqytetin, që të bëhet më i jetueshëm, të jetë më funksional, se është tek e fundit kryeqyteti i Republikës së Kosovës. Pra janë kërkesa krejt legjitime, është një ofertë shumë e qartë, shumë konkrete, shumë e thjeshtë. Le të del ai që do me bë qeverinë e thotë: ‘Unë i bëj këto, i bëj pjesë të programit të qeverisë’. Ne s’po duam as poste, as ministra, asgjë s’po duam. Atëherë ne qëndrojmë në sallë dhe e bëjmë kuorumin e nevojshëm që të kontribuojmë në formimin e institucioneve të reja. Dhe evitohen zgjedhjet”, tha ai.
Në fund, Latifi theksoi se oferta e Aleancës është publike dhe transparente.
“Po ne kjo është, domethënë kjo është publike çka thashë, është transparente, qytetarët e dinë. Aleanca i ka vendosë, ka një ofertë në momentet e tanishme. Oferta është publike, pra është transparente edhe kjo është e tëra. Nuk kemi arsye me pasë marrëveshje, sepse ne po themi: zotohu që këto 6 pika të kësaj oferte të Aleancës janë në rregull, janë në dobi të qytetarëve, ne me Aleancën jemi në rregull”, tha Latifi.

