Mar. Kor 21st, 2026

KPK refuzon rikthimin e prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar, me katër vota pro, e tri kundër, kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb, për t’u rikthyer në punë në sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja i dërgoi te institucioni i Presidentit emrat e prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi paraprakisht kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

Refuzimi i kërkesës për t’u rikthyer në sistemin prokurorial u inicua nga anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, Dardan Vuniqi.

Vuniqi: Duhet të refuzohet kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve serbë

“Çfarë mesazhi u dërgojmë prokurorëve që kanë mbetur në detyrë, që kanë përballuar presione të ndryshme dhe sfida, nëse ne kërkojmë një rrugë të tillë të privilegjuar për ata që janë larguar me vullnetin e tyre. Institucionet ndërtohen mbi përgjegjësinë dhe vazhdimësinë, jo mbi standarde të ndryshme. Nëse sot pranojmë se një mandat mund të rikthehet vetëm nëse kanë ndryshuar rrethanat politike apo qëndrimet e ndryshme personale, atëherë nesër mund të krijohen precedentë që e dobësojnë autoritetin dhe humbin besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Kam hulumtuar në vende të ndryshme dhe nuk gjen bazë juridike as në të drejtën ndërkombëtare… Çdo rikthim në sistem mund të realizohet vetëm nëse të njëjtit i nënshtrohen procedurës rekrutuese, ngjashëm sikurse të gjithë prokurorët”, tha ai.

Kërkesa e tij u mbështet edhe nga anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga prokuroritë themelore të Republikës, Elza Bajrami-Kastrati.

Bajrami-Kastrati: Jam kundër kthimit të prokurorëve në pozitat e tyre në sistemin prokurorial

“Jam absolutisht kundër kthimit të tyre në pozitat e tyre në sistemin prokurorial të Kosovës. Ashtu siç e përmendi edhe profesori, dorëheqja është një akt juridik i njëanshëm dhe i vullnetshëm dhe sapo ky akt dorëzohet zyrtarisht, atëherë vullneti i palës konsumohet. Këta prokurorë në vitin 2022 e kanë shprehur vullnetin e tyre para katër vitesh, duke e bërë të qartë se nuk duan të punojnë për Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, theksoi ajo.

Po ashtu edhe anëtarja tjetër e Këshillit, Arlinda Muqa, kërkoi të refuzohet kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve serbë.

Muqa: Ne nuk e dimë se për fushë veprimtarinë e prokurorëve serbë gjatë kësaj periudhe

“Nga ai moment dhe deri më sot kanë kaluar disa vite. Çfarë dimë ne për veprimtarinë e tyre gjatë kësaj periudhe? A kanë ushtruar ata funksione të tjera në institucione të tjera dhe a kanë bashkëpunuar me struktura që kanë vepruar kundër rendit kushtetues të Kosovës? Këto nuk janë pyetje politike, por janë të domosdoshme për integritetin e sistemit të drejtësisë”, shtoi ajo.

Ndërkohë, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, kërkoi kohë për vendimmarrje pasi, sipas tij, duhen konsultime me institucionet vendore, si dhe partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.

Arian Gashi: Ndoshta duhet pritur për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë, të konsultohemi me partnerët ndërkombëtarë

“Numri 20 që ka qenë është rritur në 21 të njoftimeve të tilla që kanë ardhur në drejtim të e-mailit tim, ku të njëjtit kanë njoftuar kryesuesin e KPK-së për tërheqjen e dorëheqjeve të paralajmëruara më parë, për të cilat opinioni publik e di. Natyrisht se edhe në përgjigjet e mia ka qenë se kjo çështje do të trajtohet në KPK, pasi çdo kërkesë e tillë që vjen duhet të trajtohet. Lidhur me këtë dua të them se ka pasur një interesim të madh edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe është ngritur në secilin takim. Ashtu siç kam thënë në takime dhe po ju them edhe juve, kjo çështje para se të vendoset duhet të qartësohet si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë faktik. Çdo veprim që marrim duhet të bëhet edhe në koordinim me KGJK-në, por edhe me institucionet tona vendore dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe pastaj të merret vendimi. Kjo punë ka pritur krejt këto vite dhe pse të mos presë edhe pak, të qartësojmë këtë situatë dhe pastaj ta trajtojmë dhe ta vendosim në Këshill”, tha ai.

Edhe kryeprokurori i ri i Kosovës, Zejnullah Gashi tha se se e mbështet këtë qëndrim të kryesuesit të Këshillit Prokurorial.

Zejnullah Gashi: Nuk jam i njoftuar me kohë për kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve serbë

“Sa i përket kësaj problematike, dua të them sinqerisht se nuk kam qenë i njoftuar me kohë dhe vetëm sa kam marrë detyrën e mandatit tim. Andaj, mbes pranë qëndrimit apo linjës së kryesuesit sa i përket kësaj problematike, duke vlerësuar në mënyrë individuale secilin opinion që paraqitet para Këshillit Prokurorial”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, kërkesa e prokurorëve serbë u hodh në votim dhe mori votat e katër anëtarëve të Këshillit, kurse tre anëtarë, përfshirë kryesuesin e Këshillit, Arian Gashi, kryeprokurorin Zejnullah Gashi dhe anëtarin e KPK, Milot Krasniqi, ishin kundër.

Postime të Ngjashme