Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e ka lavduar kryeprokurorin e ri të të Shtetit, Zejnulla Gashin, dhe I ka hedhur poshtë kritikat për çfarëdo lidhje të tij me Lëvizjen “Vetëvendosje”.
A ka lidhje Gashi me VV? – Haxhiu: Janë përpjekje për ta dëmtuar procesin
“Gashi nuk ka ardhë nga rruga që bëhet kryeprokuror. Ai ka qenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, prandaj këto deklarata…… janë, si me thënë, përpjekje dashakeqe për të dëmtuar një proces që ju të gjithë e keni parë që është mbikëqyrë edhe nga organizatat kredibile të shoqërisë civile, dhe po ashtu dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Partnerët ndërkombëtarë e kanë përshëndetur këtë emërim, ndërsa sa i përket organizatave të shoqërisë civile më kanë bërë thirrje që sa më shpejt të emërohet Kryeprokurori i Shtetit, duke pasur parasysh që Kosova është më shumë se katër vite me U.D. Kryeprokuror të Shtetit”, tha Haxhiu pasi u pyet nga KosovaPress.
Duke i uruar Gashit sukses e punë të mbarë, ajo rikujtoi porositë që ia dha atij në momentin e dekretimit.
Haxhiu: Gashit i kam thënë ta kryej detyrën me profesionalizëm të lartë
“Që mandatin e tij, përgjegjësinë e tij ta ushtrojë me përgjegjësinë më të lartë institucionale, me integritet të lartë profesional e moral, dhe me përpjekje maksimale për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin në mënyrë që në Republikën e Kosovës të mos ketë zyrtarë të korruptuar që ndihen të paprekshëm, dhe të mos ketë përpjekje për të destabilizuar në çfarëdo forme ndonjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës siç ka ndodhur, referuar sulmit në Banjskë apo në Ibër-Lepenc. Pra, është shumë e rëndësishme që detyrat të kryhen me profesionalizmin më të lartë. Ata që thonë që është në Vetëvendosje, le të vazhdojnë ta bëjnë”, tha ajo.

